Të enjten do të luhen ndeshjet e kthimit në Europa League, aty ku skuadrat shqiptare si Teuta, Partizani, Kukësi dhe Shkëndija e Tetovës po luajnë shanset për kalimin në një stad më lartë. Kjo do të thotë më tepër prestigj dhe më tepër para në arkat e këtyre klubeve, që tashmë kanë konsumuar sfidën e parë.
Partizani u ndesh më 28 qershor në “Elbasan Arena” kundër Slovan Bratislavës, sfidë që përfundoi 0-0. Kjo do të thotë që të kuqtë i kanë shanset për kualifikim dhe u mjafton të shënojnë një gol dhe të mos pësojnë që të kalojnë në turin e dytë eliminator. Por, kundërshtari i ardhshëm i të kuqve është i përcaktuar, ai do të dalë nga çifti Breidablik (Islndë) – Jelgava (Letoni). Sfida e parë ka përfunduar 2-3 në favor të letonezëve, ndësa mbetet çdo gjë e hapur për sfidën e dytë, ku do të përcaktohet përfundimisht fituesi i këtij dueli.
Kukësi barazoi më 30 qershor ndaj malazezëve të Rudar në sfidën e luajtur në “Elbasan Arena” me rezultatin 1-1, i cili nuk është në favor të tij. Por, verilindorët do të luajnë shanset e tyre për kalimin në një raund më lartë. Nëse ndaj Rudarit në Mal të Zi të enjten sfida përfundon me rezultatin pozitiv për Kukësin, atëherë ata do të shkojnë në turin e dytë dhe do të kenë përballë Austrinë e Vienës.
Teuta e ka humbur sfidën e parë me rezultatin 0-1 dhe teorikisht është një nga skuadrat shqiptare që e ka më pranë eleminimin. Kairat Almaty shënoi në “Niko Dovana” dhe kjo bën që shanset të jenë më të shumta për kazakët, por le të shpresojmë për kualifikimin e durrsakëve. Në rast se Teuta do të mund të triumfojë në Kazakistan përballë Kairat Almaty, atëherë teorikisht do të ketë përballë Maçabi Tel Aviv. Izraelitët kanë fituar 3-0 takimin e parë ndaj ND Gorica të Sllovenisë dhe janë favoritë për të kaluar në turin e dytë.
Shkëndija e Tetovës ka mundur të realizojë fitore të pastër me Cracovia-n e Polonisë me rezultatin 2-0. Në ndeshjen e kthimit iu mjafton një barazim që të kualifikohen. Ata do të përballen me fituesen e çiftit Neftchi Baku (Azerbaxhan) – Balzan (Maltë). Ndeshja e parë mes këtij çifti ka përfunduar 2-0 për azerët, të cilët nëse kualifikohen do të jenë kundër tetovarëve. Neftchi Baku edhe një vit më parë u ndesh kundër skuadrës së Laçit, ndërsa edhe këtë vit gjasat janë të kenë kundërshtar shqiptar.