
Ai ishte afrimi i parë i Kukësit në merkaton e dimrit dhe ka vetëm pak ditë që është bërë pjesë e skuadrës verilindore. Por edhe pse koha për ka qenë fare e shkurtër Simon Rrumbullaku është përshtatur shumë mirë në krahun e majtë të mbrojtjes së Kukësit, teksa ka marrë edhe vlerësimet e trajnerit Ernest Gjoka për paraqitjet që ka bërë në miqësoret ndaj Istanbul Basaksehir dhe Kairat Almatit.
25-vjeçari gjirokastrit është transferuar te Kukësi nga skuadra greke e Apollon Smirnis teksa në tokën helene është aktivizuar edhe me skuadra të tilla si Pas Giannina apo Panetolikos. Kalimin te Kukësi, Rrumbullaku e shikon si një hap përpara në karrierën e tij.
” Kukësi është një ekip i mirë, edhe pse kam vetëm pak ditë që jam bashkuar me skuadrën kam kuptuar që këtu punohet mirë. Stafi dhe futbollistët më kanë ndihmuar shumë për tu përshtatur. Shpresojmë të vazhdojmë kështu dhe të arrimë objektivat”, pranon Rrumbullaku në një intervistë për Supersport.
Rrumbullaku është projektuar si një futbollist titullar në formacionin e Kukësit nga trajneri Gjoka, me këtë të fundit që e ka aktivizuar që nga fillimi edhe në 2 miqësoret e zhvilluara në Antalia. Megjithatë vetë 25-vjeçari qëndron me këmbë në tokë duke theksuar se duhet të punojë fortë për të merituar formacionin.
”Do ta tregojë vetëm koha nëse do të jem titullar apo jo. Kam ardhur këtu për të punuar dhe për t'u bërë një lojtar më i mirë. Të ndihmoj ekipin sa herë do të më jepet rasti. E rëndësishme është që skuadra te eci mirë”.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Rrumbullaku është aktivizuar në kampionatin grek por 25-vjecari gjatë kësaj periudhe e ka ndjekur kategorinë Superiore, duke nënvizuar se niveli i futbollit në Shqipëri ka ardhur në rritje. Përsa i përket mundësive që ka Kukësi për të fituar titullin kampion, mbrojtësi i krahut të majtë u shfaq optimist.
“Unë kam qenë në Greqi por e ndiqja kampionatin shqiptar nga televizioni. Niveli është rritur pasi kanë ardhur lojtarë shumë të mirë. Skuadrat shqiptare në vitet e fundit kanë bërë paraqitje shumë të mira edhe në Europë, jam i sigurtë që niveli do të vijë akoma edhe më shumë në rritje. Kukësi ka një ekip shumë të fortë, besoj se kjo skuadër i ka cilësitë për të bërë mirë në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë”.