
Në Rusi duket se i druhen Partizanit. Performanca e të kuqve në ndeshjet e Europës, duket se i ka bërë të gjithë ekipet kundërshtarë që t’i druhen, ndërsa mbrojtësi i Krasnodar, Vitali Kaleshin, thotë se për ekipin e tij e rëndësishme është që të arrijnë rezultat dhe të jenë të qetë në sfidën e kthimit.
“Ne respektojmë çdo kundërshtar, ndaj nuk ka mendjemadhësi para kësaj ndeshjeje. Unë nuk kam preferenca për rezultatin, për sa kohë që arrijmë në fazën në grupe të turneut. Nesër do të jetë e rëndësishme që të arrijmë një rezultat, i cili të na japë mundësinë të luajmë të qetë në ndeshjen e dytë”.
Sipas mbrojtësit, Partizani ka grup të mirë dhe lojtarë që dinë të shfrytëzojnë sulmin. “Forca e Partizanit? Ata kanë një grup të mirë lojtarësh ofensivë. Do të luajnë kompakt, ndaj do të jetë një ndeshje e vështirë. Por unë shpresoj t’i përballojmë siç duhet dhe të arrijmë një rezultat të mirë”, deklari mbrojtësi 35-vjeçar i skuadrës ruse.