
Manchester City dhe Real Madrid luajnë të martën në orën 21:00 ndeshjen e parë të vlefshme për gjysmëfinalet e Champions League. “Qytetarët” do presin Los Blancos në “Etihad Stadium” në një sfidë që premton të japë shumë. Trajneri i Cityt, Guardiola foli në prag të sfidës së nesërme, duke vendosur theksin se objektivi kryesor është arritja e finales.
“Në këtë kompeticion vijmë përballë Real Madrid, pas dy ndeshjeve të vështira. Ne kemi shkuar në çerekfinale dhe në vitet e tjera dhe ka qenë e vështirë gjithashtu. E vërteta është se në dekadën e fundit ne jemi aty, duke luftuar për Champions League, duke kaluar grupet dhe arritur në gjysmëfinale. Është mirë të jesh aty. E kam pasur gjithmonë këtë ndjenjë te Barcelona dhe Bayern, e tashmë këtu.
Kemi arritur në gjysmëfinale dhe e prisja. Duhet të jemi vetja dhe të luajmë mirë. Na duhen dy ndeshje të mëdha për të arritur finale dhe shpresoj se do ja dalim. Nuk është e nevojshme të them shumë, ne respektojmë Real Madrid, sa të mirë janë. Kaq është e gjitha. Është nder të luajmë me ta. Ne duam të shkojmë në finale dhe ta fitojmë atë, si do Real Madrid, Villareal apo Liverpool. Në të njëjtën kohë, nuk do e hedh poshtë atë që kemi bërë për të arritur këtu. Kurrë”, u shpreh Guardiola në prag të sfidës.