Virgin Money, banka e zotëruar nga miliarderi britanik Riçard Branson, ka firmosur një kontratë sponsorizimi më Mançester Junajtid, duke u bërë sponsori i parë financiar në historinë e klubit që do të ofrojë shërbime të ndryshme për fansat.
“Ne të Virgin Money, kemi adhuruar gjithmonë Mançester Junajtid. Historinë e jashtëzakonshme, lojtarët e mëdhenj dhe traditën. Është një klub që kërkon të ndryshojë futbollin, jo vetëm ta luajë atë. Dhe është e njëjta ambicie që na frymëzon ne si bankë, kërkimi i pandalshëm për t’u përmirësuar. Për këtë arsye jemi krenarë që jemi partneri i parë financiar i Mançester Junajtid. Nuk bëhet fjalë thjesht për një marrëveshje biznesi, por për një marrëveshje që do t’i ofrojë produkte reale, të përshtatshme për tifozët. Nëse tifozët duan ta kenë klubin në kartat e tyre të kreditit apo të festojnë suksesin, duke pasuruar kursimet e tyre, qëllimi ynë është që të jemi zgjidhja ideale për paratë e tyre”, thuhet në njoftimin e publikuar nga kompania financiare.