
Kreu i KOKSH, Fidel Ylli ka folur sërish për temën e basteve sportive dhe legalizimin e tyre. Në Vizion Plus, Ylli ka thënë se kjo ishte një kërkesë e sportit dhe jo e qeverisë.
“Takimi që bëmë me kryeministrin ishte i munguar. Kishim muaj që e kërkonim këtë takim, për të dhënë argumetet pro dhe kundër. Kur u mbyllën kompanitë e basteve unë kam qenë në parlament dhe i kam ngritur të dyja duart për t’u mbyllur. Ishin bërë të shpifura në çdo lagje. Bënë mirë që u mbyllën.
Ne tani themi: a luhet sot baste? Po, më shumë se më parë. Luhet në celular, ka ndryshuar forma. Një fëmijë nën 18 vjeç nuk e kontrollon dot as shteti as familja.
Ne themi t’i kontrollojë shteti. Formën nuk e dimë ende sesi. Bastet nuk i ndaloi as Enver Hoxha. Kam dy vjet që e them, kam këtu një dosje me ligjet evropiane.
Ne themi, ti që luan si i gjete këto lekë? Do jetë me kontroll dhe kartë identiteti. Sot, në bazë të infove që kam unë, luajnë edhe me 20 ose 30 milionë lekë në javë. Ku i gjejnë? Sistemi që themi ne nuk të lejon. Edhe deputetët kështu i duan, pa fytyrë. Ne duam t’i nxjerrim në dritën e diellit, ta dimë kush luan.
Politika të mos ngatërrohet. Këtë punë e ka kërkuar sporti nuk e ka kërkuar Edi Rama. Por ne japim argumentat që ne qeverinë nuk e duam armik me protesta e greva por partner me argumenta”, tha Ylli.