
Një nga ndeshjet më të forta të futbollit europian, të paktën për këtë sezon, do të luhet ditën e nesërme. Bayer Leverkusen që udhëheq Bundesligën me dy pikë më shumë se Bayern Munich, do të presë këta të fundit në shtëpi. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “BayArena”, do të startojë në orën 18:30.
Kjo sfidë pritet që të vendosë shumëçka përsa i përket këtij sezoni. Me një fitore, Leverkusen do të shkonte +5 nga Bayern, duke marrë 3 pikë ndaj një rivali direkt dhe parë formën aktuale të ekipit të Alonsos, vështirë që lënë pikë në ndeshje të tjera. Kjo vjen dhe si shkas që “aspirinat” nuk njohin asnjë humbje në asnjë kompeticion këtë sezon, duke i bërë tepër të frikshëm.
Në krahun tjetër bavarezët do të kërkojnë pikët e domosdoshme për të mos prishur “diktaturën” e vendosur që nga viti 2013 e deri më sot, ku ka qenë të padiskutueshëm si kampion në Gjermani. Teksa përballë Leverkusen ka një të shkuar mjaft të “ëmbël” duke e bërë këtë sfidë si një stërvitje për të besuarit e Tuchel. Në 89 ndeshje të luajtura mes këtyre dy ekipeve në Bundesliga, plot 52 herë kanë triumfuar rekordmenët, 18 sfida kanë përfunduar në barazim, teksa vetëm 19 janë fituar nga Leverkusen. Duke bërë që në këtë sfidë, pavarësisht pozitave aktuale, Bayern të vijë si favorit absolut.
E vetmja notë negative për bavarezët në këtë sfidë janë mungesat. Coman, Davies, Gnabry, Laimer, nuk do të jenë të gatshëm për këtë sfidë, teksa ajo ç’ka tremb më shumë është mungesa e Neuer, me portierin më të mirë të historisë që ka pësuar një dëmtim. Në krahun tjetër, Leverkusen vuan vetëm mungesën e Boniface.