Frank Lampard lajmëron tërheqjen nga futbolli në moshën 38-vjeçare. Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ish-mesfushori i Çelsit ka shkruar: “Pas 21 vitesh të pabesueshme kam vendosur se tani është momenti i duhur për të mbyllur karrierën time si futbollist profesionist”.
KARRIERA– I lindur më 20 qershor 1978 në Romford, Frenk është djali i ish-mbrojtësit të Uest Hemit. Pikërisht në këtë klub edhe vetë ai hedh hapat e para në futboll. Aktivizohet me të rinjtë e Uest Hemit, ndërsa debutimin si profesionist e bën më 1995 me Suonsin.
Në 1996 kthehet te Uest Hemi në urdhrat e trajnerit Herri Redknap, ndërsa në 2001-shin transferohet te Çelsi ku qëndron për plot 13 vjet.
Në “Stamford Bridge” kthehet në lider, në idhull dhe në një nga mesfushorët më të mirë në botë, ndërs me blutë e Londrës fiton një Champions League, një Europa League, tri herë Premier Ligën, katër herë FA Cup dhe dy Kupa të Ligës.
Pas largimit nga Çelsi aktivizohet në Amerikë me Nju Jork Sitin, ndërsa sezonin e shkuar u huazua te Mançester Siti për 6 muaj.