
Skuadra kuksiane nuk ndalet. Së fundmi verilindorët kanë nënshkruar me dy 19-vjeçarë. Në këtë mënyrë fituesit e Kupës së Shqipërisë po mendojnë për të ardhmen teksa kanë afruar në organikën e tyre Bekim Didën dhe Klevis Sadikun. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar Kukësi bën me dije që po i kushton rëndësi të ardhmes, pasi kanë nisur një projekt edhe për grupmoshat e reja.
“Klubi i F.K. Kukësit ka nisur një frymë të re edhe një projekt edhe te grupmoshat e reja. Drejtuesit po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi të ardhmes dhe kjo shihet edhe në afrimin e elementëve të rinjë. Dy afrimet e fundit të F.K. Kukësit janë Bekim Dida dhe Klevis Sadiku.
Të dy futbollistët kanë nënshkruar ditën e sotme kontrata profesioniste me F.K. Kukësin. I pari luan si qendërmbrojtës, ndërsa i dyti si sulmues.
Dida është një produkt i akademisë së F.K. Kukësit, pasi ka qenë edhe pjesë e skaudrës U-19 ku u shpall edhe kampion për Kategorinë e parë duke qenë një ndër lojtarët që ka kontribuar më tepër.
Sadiku ka qenë pjesë e Partizanit U-19, ndërsa tani ka zgjedhur për të vazhduar karrierën te skuadra verilindore.
"Jam shumë i lumtur që jam bashkuar me ekipin e F.K. Kukësit. Kjo ka qenë ëndrra ime më e madhe", - shprehet Dida.
"Më vjen mirë që u bashkova me një ekip të rëndësishëm si Kukësi. Shpresoj të bëj më të mirën dhe falenderoj drejtuesit për besimin", - shprehet Sadiku.
Klubi i uron suksese të dy futbollistëve 19-vjeçarë!”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Kukësit.