
Trajneri i njohur shqiptar, Liridon Leci ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i ekipit KF Rahoveci. Rënia nga Liga e Parë e Kosovës në të dytën, nuk u “kapërdi” dot nga tekniku 40-vjeçar.
Ky i fundit largohet kështu vetëm disa muaj pas emërimit të tij në krye të “bardhebluve”. Kujtojmë se Leci, mori drejtimin e KF Rahovecit më 1 janar të këtij viti, por pa mundur të arrijë objektivin kryesor të klubit, mbijetesën.
Njoftimi i klubit KF Rahoveci:
Liridon Leci jep dorëheqje nga posti i trajnerit të KF Rahovecit
Pasi nuk ishte e mundur për të arritur objektivin e qëndrimit në Ligën e Parë, trajneri Liridon Leci ka paraqitur dorëheqjen e tij nga drejtimi i KF Rahovecit. Klubi e ka pranuar dorëheqjen, duke e falënderuar Lecin për angazhimin dhe punën e tij gjatë këtij sezoni.
Në javët e mbetura te sezonit, Rahoveci do të zhvillojë edhe tri xhiro të fundit të kampionatit me staf të përkohshëm, ndërkohë që drejtuesit e klubit kanë paralajmëruar riorganizim të plotë për sezonin e ardhshëm, me synim rikthimin e shpejtë në Ligën e Parë.