
Sot paradite është mbledhur Komiteti Ekzekutiv në FSHF, ku nën drejtimin e presidentit Duka janë marrë disa vendime të rëndësishme. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp në uebsajtin zyrtar bëhej e ditur:
"Sot paradite në orën 11.00, është zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit mbledhja e rradhës e Komitetit Ekzekutiv të FSHF. Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka, ky forum ka diskutuar në lidhje me disa çështje të rëndësishme dhe ka miratuar disa propozime. Ai është njohur dhe ka miratuar, projektin e paraqitur “Për blerjen e topave të futbollit, për të gjitha ekipet e regjistruara në FSHF”. Futbolli i femrave, ka qenë një tjetër temë diskutimi në Komitetin Ekzekutiv. Ai ka miratur propozimin që ka lidhje me rritjen e mbështetjes financiare për këtë kategori.
U miratuan gjithashtu kalendarët e kampionateve të shkollave të mesme, kampionatin e shkollave të mesme të minifutbollit, të turneut “Coca – Cola” dhe të kampionatit të të verbërve si dhe një ndryshim në rregulloren e kategorisë së tretë. Në fund, Komitetit Ekzekutiv i FSHF, ka miratuar propozimet për dekorime të figurave të shquara të futbollit shqiptar, të cilat shpallen në festën tradicionale të fundvitit", përfundonte njoftimi i Federatës Shqiptare të Futbollit.