
Edhe pse nuk ndodhet në Shqipëri, ai sa herë flet do të përbëjë lajm. Sulejman Starova, ish-trajneri i Partizanit është emëruar tashmë në krye të pankinës së Feronikelit. 62-vjeçari ka nisur një aventurë të re në Kosovë, megjithatë herë pas here nuk harron të komentojë ish-skuadrën e tij.
Së fundmi në media ai u shpreh se trajneri Klevis Dalipi nuk ka ndryshuar asgjë, përkundrazi luan me të njëjtët futbollistë si ai. Eksperienca e "Bobit" është e padiskutueshme, por edhe forma e mrekullueshme që po kalon skuadra e Partizanit pas largimit të tij me në krye Dalipin kurrsesi nuk mund të mohohet. Por mes këtyre dy situatave të ekipit të kuq ishte një hendek i madh që ishte krijuar kohë më parë.
Përplasjet e Starovës me drejtuesit nisën që në merkaton e dimrit. Me në krye drejtorin e përgjithshëm, Olsi Rama, për herë të parë te 15-herë kampionët e Shqipërisë u tregua se nuk ka të paprekshëm. Dy lojtarët që u larguan nga drejtuesit ishin Renato Malota dhe Emiliano Vila. Qendërmbrojtësi lezhian ishte titullar i padiskutueshëm me "Bobin" dhe ishte ai vetë që e mori te Partizani, ndërsa Vila edhe kur nuk ishte në formën e tij më të mirë, e kishte të "blinduar" vendin e titullarit.
Starova nuk ishte dakord për këto dy largime dhe këtë e ka thënë nën zë kudo. Siç duket skuadra e tij u prish dhe ndryshe nga sa thotë ai, Partizani i "tij" nuk ishte më. Në merkato ishin drejtuesit që vendosën veton, duke afruar në organikë futbollistë që 62-vjeçari nuk i dëshironte. Tashmë ata kanë rezultuar të "hajrit" dhe me Klevis Dalipin në krye, performanca e grupit të formuar rishtazi në janar, ka nisur të bëjë për vete të gjithë tifozët e kuq.
Me hir apo pa hir, Starova duhet ta pranojë se Partizani i tij "vdiq" që sezonin e shkuar. Me ardhjen e Iulianos gjithçka ndryshoi dhe tashmë është fakt se ky Partizan është i Klevis Dalipit, që për 5 vite me radhë është aty duke punuar intensivisht në stafin teknik. Herë në krye, herë si zëvendës, pak rëndësi ka. E njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar, ka derdhur djersë në Superiore dhe tashmë është koha që të tregojë aftësitë e tij menaxheriale. /Newsport.al/