Çiklisti belg Kjell Cooman është shpallur fitues i etapës së parë të edicionit të 83-të të Turit Çiklistik të Shqipërisë. Gara nisi nga Tirana dhe u mbyll në Lezhë, me pjesëmarrësit që përshkuan 177 kilometra, ndërsa Timotej Bavec dhe Alin Toader plotësuan podiumin.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në qytetin e Lezhës, në praninë e kryebashkiakut Pjerin Ndreu. Fituesi belg u shpreh i kënaqur për triumfin dhe kryesimin në renditjen e përgjithshme, ndërsa aktiviteti u vlerësua si një promovim i rëndësishëm për Shqipërinë.
“Ishte një ditë e mirë dhe jam i lumtur që mora fitoren dhe kryesimin e klasifikimit të përgjithshëm. Kishte shumë erë përballë dhe kisha frikë se do na kapte grupi por u shkëputa te ura finale dhe e mbylla garën i vetëm. Është një vend shumë i bukur më pëlqen shumë. Tani do të përpiqem të mbaj kryesimin por etapa e katërt do të jetë më e vështira", tha Cooman.
Turi i 83-të Çiklistik, me pjesëmarrjen e 20 skuadrave nga Ballkani dhe Europa, do të vazhdojë deri më 22 maj në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
