Skuadra e Pogradecit ka zyrtarizuar transferimin e qendërmbrojtësit Marin Abazaj, i ardhur nga Bylis me parametra zero. Për trajnerin e liqenorëve Emiljano Çela, përforcimi i ekipit me Abazaj është shumë i rëndësishëm në objektivin për ngjitjen në Superiore.
24-vjeçari ka dalë nga moshat e Pogradecit dhe për të, kjo lëvizje konsiderohet rikthim në “shtëpi”. Interesante është se lojtari në fjalë edhe pse ka profil natyral si qendërmbrojtës, mbulon edhe pozicion të tjera në fushë si “shkatërrues” para mbrojtjes dhe mesfushor qendror.
Pas 20 javësh në Kategorinë e Parë, Pogradeci mban vendin e 3-të ne tabelë me 39 pikë, ndërsa është vetëm 3 pikë larg pozicionit të dytë, i cili i takon Laçit.
Për informacion, dy vendet e kreut në Kategorinë e Parë ngjiten direkt në Superiore, ndërsa vendi i 3-të kalon përmes “play-off”.
