Skuadra e Lushnjes po vazhdon të “notojë në ujëra të trubullat” edhe këtë sezon në Kategorinë e Parë. Edhe emërimi i trajnerit Ditmar Bicaj nuk ka dhënë efeketin e pritur. Pas 9 javësh, “Myzeqarët” mbajnë vendin e 9-të me 9 pikë. Rendimenti i ulët ka sjellë pasoja edhe në aspektin financiar.
Gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak, antarët, që mbajnë edhe detyrën e aksionëve kanë dalë kundër miratimit të shtesës buxhetor me 5 milionë lekësh të rinj, shkak rezultatet aspak bindëse. Presidentja e klubit dhe kryetarja e Bashkisë Erisela Sefa ka folur me tone të ashpëra ndaj skuadrës në këtë mbledhje:
“Në fillim të vitit miratuam 40 milionë lekë për klubin e futbollit, që përfshijnë jo vetëm ekipin e parë, por edhe strukturat e tjera. Në korrik, bordi miratoi pagat e reja për lojtarët që nënshkruan kontratat për sezonin 2025– 2026. Megjithatë, rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e pritshmërive.
Deri tani kemi ndëshkuar trajnerët, por tani do të vendosim penalitete ekonomike edhe për lojtarët që nuk tregojnë dëshirë dhe përkushtim. Nëse është nevoja, do t’i zëvendësojmë me djemtë e akademisë U-17 dhe U-19. Ata do të luajnë me shpirt për qytetin dhe pa kosto të larta financiare për Bashkinë.
Në maj dhe qershor kemi paraqitur raportet financiare dhe auditimet përkatëse. Çdo qindarkë e përdorur është e deklaruar dhe e hapur për këdo që dëshiron ta shohë. Që nga dita e hënë, çdo këshilltar mund të marrë raportin financiar pranë sekretarisë së këshillit”.
