Kategoria e Dytë mbylli dje fazën e parë. Pas javës së 13-të, në Grupin A, Egnatia u shpall kampione e dimrit, ndërsa në Grupin B, këtë titull simbolik e arriti Naftëtari.
Në sfidën Naftëtari-Orikumi që u zhvillua dje në stadiumin e Kuçovës, "Bashkim Sulejmani", u vendos një rekord për praninë e tifozëve në Kategorinë e Dytë. Plot 3 mijë tifozë!
Një numër, që edhe për Superligën është "leksion", pasi shihen shpesh ndeshje të cilat kanë mungesë të theksuar tifozësh, ndonëse luajnë ekipe të elitës së futbollit shqiptar.
Kundër Orikumit, skuadrës rivale të Naftëtarit në këtë sezon për një vend në Kategorinë e Parë, tifozët kuçovarë kishin përgatitur një pritje speciale për ekipin e tyre. Ndërkohë, para takimit, drejtuesit e klubit bardhezi kishin menduar për një dalje të veçantë të skuadrave në fushën e lojës.
Fëmijët që shoqërojnë futbollistët para takimit ishin të veshur si babagjyshë të Vitit të Ri, duke krijuar edhe një atmosferë të ngrohtë në të prag festash.
Atmosfera në stadiumin "Bashkim Sulejmani" ka qenë vërtet e zjarrtë dhe "fair-play" nga tifozët.
Gjithsesi, ndeshja mes Naftëtarit dhe Orikumit përfundoi 1-1, një rezultat që frenoi kuçovarët pas 11 fitoreve radhazi në kampionat dhe iu mohoi mundësinë për t'iu shkëputur edhe më shumë ekipit të Orikumit.
Pas 13 javësh në Kategorinë e Dytë, Naftëtari kryeson me 34 pikë, 4 më shumë se Orikumi.
[caption id="attachment_66043" align="alignnone" width="800"] Tifozet e Naftetarit dje ne sfiden kunder Orikumit ne stadiumin "Bashkim Sulejmani"[/caption]
[caption id="attachment_66040" align="alignnone" width="480"] Dje para takimit Naftetari-Orikumi 1-1[/caption]