Pesë gola në tre ndeshje kundër të njejtit rival në këtë kampionat. Ky është efekti i sulmuesit Izair Emini në duelet e këtij sezoni kundër Bellasicës së Strumicës. Gjithçka nisi në fitoren e parë sezonale 4-1 në Tetovë kur Emini shënoi tre-golësh.
Më pas kuqezinjtë fitonin 0-2 në Strumicë dhe goli i parë ishte kryevepër e ish-sulmuesit të Kukësit ndërsa seria vazhdoi edhe të dielën kur pikërisht Emini ishte autor i golit të parë në fitoren 3-0. Rastësi apo rival i pëlqyer e sqaron vetë Izair Emini.
“Është e vërtetë se i kam bërë 5 gola Bellasicës dhe ndaj tyre realizoj rregullisht, mirëpo nuk kam thënë se është rival që e pëlqej. Ne sulmuesëve na ndodh që brenda një sezoni të kemi një kundërshtar që na përshtatet dhe t’u bëjmë rregullisht gola, siç është rasti im me Bellasicën në këtë kampionat. Por më shumë se efekti personal, për mua rëndësi ka fakti që ato gola kanë ndihmuar skuadrën të arkëtojë 9 pikë nga këto 3 duele“, thotë Izair Emini për serinë e tij kundër ekipit nga Strumica.
Fitorja 3-0 me Bellasicën riktheu kuqezinjtë bindës, pasi në dy ndeshjet e para, pavarësisht lojës së mirë, skuadra realizonte vetëm nga një gol.
“Fakti që kemi shënuar vetëm nga një gol në dy ndeshjet e para në pranverë, nuk mund të thotë se nuk kemi qenë në formë. Thjesht është e pamundur gjatë gjithë kampionatit të fitosh me diferencë të madhe golash. Në fillim të kampionatit kemi hasur vështirësi të mëdha, por vlerësoj se nga ndeshja në ndeshje forma jonë vjen në ngjitje. Së shpejti do të shihni Shkëndijën në formën më të mirë“, shton Emini.
Përballja e rradhës në kampionat i vendos kuqezinjtë përballë Shkupit në transfertë.