
Projekti madhor i FSHF-së, që nis të zbatohet në këtë edicion, “Uniforma Ime” ka hyrë në fazën më të rëndësishme, teksa vazhdojnë konsultimet me të gjitha shoqatat rajonale të futbollit për të marrë të gjitha të dhënat për fëmijët që luajnë futboll nga klubet dhe shoqatat e futbollit në të gjithë vendin.
Në këtë kuadër edhe Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër ka zhvilluar një takim me trajnerët e klubeve dhe drejtuesit e akademive të rajonit të Gjirokastrës për organizimin e sezonit të ri futbollistik 2022/2023. Pjesëmarrësit u informuan nga përfaqësuesit SHRFGJ mbi mbështetjen e madhe dhe konkrete të Federatës Shqiptare e Futbollit për futbollin në përgjithësi, e më konkretisht për projektin e rëndësishëm “Uniforma Ime”, që do të pajisë të gjithë fëmijët që luajnë futboll në të gjithë vendin me uniforma loje e stërvitjeje, komplet tutash dhe çantë falas, duke filluar nga mosha U-7 e deri në moshën U-19.