Shqipëria do e mbajë mend gjatë finalen e UEFA Conference League që u luajt mbrëmjen e 25 majit, pasi është evenimenti më madhor futbollistik që vendi ynë ka mirëpritur. Në këtë finale, luajtën Roma dhe Feyenoord, me italianët që fituan trofeun historik.
Megjithatë, ky eveniment nuk kaloi pa trazira dhe pa problematika. Sherret kanë qenë të shumta në rrugët e Tiranës, pavarësisht mobilizimit maksimal të forcave të rendit për t’i shmangur.
Dy tifozeritë kanë qenë të ndara në sektore të përcaktuara nga FSHF dhe UEFA. Tifozët e Feyenoord kanë qëndruar kryesisht në zonën e Pedonales në kryeqytet, por kjo gjë nuk i ka ndaluar romakët të futen dhe të vandalizojnë rrugët e Tiranës.
Siç shihet nga foto më poshtë, tifozët romakë kanë sulmuar ata të Feyenoord me një mesazh të qartë të shkruar në mur, me spraj. “Tirana, 24 maj 2022. Kjo ishte zona e jetës së natës për Feyenoord, tani është bërë zona e sherrit për tifozët e Romës!”