Bruno Telushi ishte një nga lojtarët që u afrua te Partizani në këtë merkato vere. Një futbollist që e njeh mjaft mirë ambientin e kuq dhe që ka kontribuar te 16-herë kampionët e vendit në rikthimin e titullit kampion pas 26-vitesh.
Me t’u zyrtarizuar te të kuqtë, postimet ishin të shumta nga mbështetësit personalë të vlonjatit. Ai ka zgjedhur të ripostojë disa prej tyre. Në sy bie një kërkesë e njërit prej tifozëve që ironizon drejtorin sportiv të Tiranës, Tefik Osmanin. I kërkon të stimulojë një goditje për zyrtarin bardheblu në një ndeshje derbi.
E si për ta ndezur këtë supersfidë që do muaj për t’u luajtur, Telushi e ka ripostuar: “Kurse për arushen s’kemi çfarë themi. M’qafsh po t’u dha rasti, atij Tefik Osmanit bëji një rrëshqitje sikur s’u ndale dot”. I sapoardhur tek të kuqtë, Telushi ndez derbin e kryeqytetit, sfidën që paralizon një javë para dhe një javë pas kryeqytetin.
