Moise Kean në sezonin që shkoi hyri në histori të Serie A, si lojtari i parë i lindur pas vitit 2000 që luan në këtë kampionat.
Kean, kishte debutuar ndaj Genoas në Serie A.
Ai në mediet italiane sot konsiderohet si një talent premtues dhe me shumë perspektiv, por ‘Zonja e Vjetër’ rrezikon ta humbas atë për një arsye shumë të çuditshme.
Është babai i futbollistit që akuzon Juventusin se nuk ka mbajtur premtimin, për t’i blerë një traktor dhe pajisje të tjera bujqësore.
Babai i futbollistit, Biorou Kean, thotë se ka një fermë të madhe në Bregun e Fildishtë, vendin e prejardhjes së tyre, dhe me Juventusin kishin rënë dakort që t’ia blinte disa pajisje bujqësore.
“Ata më premtuan pajisje bujqësore për fermën time në Bregun e Fildishtë”, ka deklaruar Biorou.
“Atje kam disa hektarë tokë që do t’i mbjellë me oriz dhe misër. Ata më thanë se nuk ka asnjë problem për këto kërkesa, por pastaj avokati i Juventusit më kontaktoi dhe më tha se kjo kontratë është revokuar me arsyen se kërkesat e mija ishin jashtë mundësive të tyre”, përfundoi ai.