Luis Meçaj, i mituri që mbeti i plagosur nga sherri me thika jashtë rrethimit të shkollës "Fan Noli" më shumë se një javë më parë në Tiranë, ka folur për herë të parë për emisionin "Top Story". Nga shtrati i spitalit, ai nuk dha detaje, por tha se për t'u larguar nga vendngjarja e ka ndihmuar kushëriri i tij.
"Marion nuk e njihja si person. Isha thjesht me Martinin (ditën e ngjarjes). Mua më ndihmoi kushëriri, Marseldi. Ka qenë te 9 katëshet dhe nuk aty nuk mbaj mend asgjë sepse isha në gjendje të fikti", u shpreh Luis Meçaj.
Ndërkohë, zëvendës shefi i Krimeve në Policinë e Tiranës, Erion Ismaili është shprehur se Marseldi është kushëriri i Luis Meçaj dhe ai ka qenë i përfshirë në konflikt. Sipas tij, edhe ky nxënës është marrë në pyetje dhe është ripyetur, por ka deklaruar se në vendngjarje ka pasur vetëm një thikë.
Kjo, në përgjigje të reagimeve dhe pretendimeve për një autor të dytë me thikë në sherrin te shkolla "Fan Noli".
"Ka pasur dhe informacione në media se në vendngjarje ka pasur një person të rritur dhe kjo është e pavërtetë, duke sjell më pas problematika të tjera. Marseldi është kushëriri i vet dhe ai ka qenë i përfshirë në konfrontim. Ai ka qenë më i qetë në të dyja rastet që është pyetur dhe ripyetur. Ai në asnjë rast nuk thotë që ka pasur një thikë tjetër në vendngjarje", u shpreh shefi Erion Ismaili.
Zëvendës drejtori Erion Ismaili ka treguar mbrëmjen e se në vendin e ngjarjes janë konstatuar 9 nxënës, gjashtë kanë qenë shokë të Martinit dhe një i autorit, Marios. Sipas tij, i gjithë momenti i goditjes së Martin Canit zgjat jo më shumë se 10 sekonda.