
Një lajm i trishtë erdhi krejt papritur këtë të diel nga qyteti i vogël i Bilishtit. Profesori i nderuar gazetari sportiv dhe trajneri i ekipeve të moshave në rrethin e Devollit, Thanas Gjata mbylli sytë përgjithmonë në moshën 62-vjeçare.
Ndonëse njihej për shpirtin e tij luftarak, ai nuk arriti që të triumfonte dhe të mposhte sëmundjen e rëndë e cila prej kohësh i kishte kapluar trupin.
Për të gjithë Thanas Gjata ishte njeriu i fjalës së mirë, bashkëshorti dhe babai shembullor, profesor që gëzonte po njësoj me fëmijët kur shënonin gol.
Me kontributin dhe përkushtimin ndaj sportit, ai la pas një trashëgimi të rëndësishme në Devoll. Brezat që patën fatin ta njihnin, do e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje për punën dhe përkushtimin e tij. Thanas Gjata do të përcillet ditën e nesërme në orën 11:00 për në banesën e fundit.
