
Në pallatin e sportit "Qazim Dervishi" në Shkodër ka festë dhe emocione, kjo jo vetëm për zhvillimin e "Klasikes" së basketbollit së meshkujve mes Vllaznisë dhe Tiranës. Para nisjes së takimit sportdashësit kuqeblu dhe klubi i Vllaznisë ka nderuar në ditëlindjen e 50-të, legjendën e ekipit të tyre Bledar Gjecaj.
Kontributi i profesor Gjecaj për klubin e Vllaznisë është tepër i madh, teksa në karrierën e tij regjistron 8 tituj kampion. Gjecaj është shpallur 5 herë kampion si lojtar dhe 3 herë kampion si trajner. Sportdashësit të entuziazmuar edhe nga ndeshja që prisnin të shihnin janë ngritur të gjithë në këmbë dhe kanë duartrokitur për disa minuta, Bledar Gjecajn. I pranishëm në pallatin e sportit është edhe presidenti Meta, i cili i dhuroi dhe një buqetë me lule ish basketbollistit legjendar.