Barcelona dështoi sërish në kampionat, teksa u ndal në barazim 3-3 me Granadan. Një barazim që e largon akoma më shumë skuadrën e Xavi Hernandez nga gara për titullin kampion.
Pas kësaj sfide trajneri i katalanasve theksoi se tashmë është shumë e vështirë për titullin. Ndër të tjera Xavi tregoi edhe çfarë i ka thënë Joan Laporta pas këtijj barazimi.
“Humbëm dy pikë, kishim një mundësi të mirë për ta shkurtuar diferencën. Granada ka bërë një lojë inteligjente, ushtroi presion dhe fitoi duelet. Ne kemi pasur shumë momente për ta mbyllur ndeshjen, nëse do të shënonim 2-0, loja do të kishte mbaruar.
Diferenca me Realin? Është e vështirë, sot edhe më e vështirë. Diferenca është e madhe, por jo e pamundur. Nuk do të dorëzohemi. Ndaj Villarrealit dështuam, po kështu edhe sot… I kemi dhuruar golat. Skuadra ka pasur besim, guxim, dëshirë… por është e pamjaftueshme. Është turp sepse ishte një mundësi e mirë për të qëndruar në garë, por po bëhet më e vështirë për ne.
Laporta? Ai më tha se kjo është e tepruar. Është një zhgënjim i madh. Ishte një ndeshje në shtëpi, duhej ta fitonim për të vazhduar luftën. Jemi të gjithë njësoj. Nuk ka dallime”, ka deklaruar trajneri i spanjollëve.