
Kampionati në Bjellorusi është i vemti kampionat në Europë që luhet normalisht. Kur të gjitha vendet e tjera kanë pezulluar futbollin për shkak të pandemisë së coronavirusit, në Bjellorusi vijon çdo gjë normalisht, madje në disa kampionate edhe me dyer të hapura. Një gjë e tillë ka sjell shqetësimin e lojtarëve dhe një prej tyre është Azdren Llullaku që aktivizohet te Shahkar Soligors. Në një intervistë për “Tuttomercatoweb”, sulmuesi i Kombëtares tregon shqetësimin e tij dhe flet për gjendjen alarmante në Itali.
E çuditshme, emergjenca Coronavirus ka ndaluar të gjitha kampionatet e tjera evropiane ... Bjellorusia është e vetmja në aktivitet?
E çuditshme. Ndoshta këtu akoma nuk e kuptojnë situatën edhe pse Bjellorusia gjithashtu ka regjistruar më shumë se 50 raste të infektimit. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj pse futbolli nuk është ndalur, nuk e kuptoj se si mund të jesh kaq i qetë dhe i painteresuar për sa i përket një situate që përfshin të gjithë botën. Kjo nuk është një gjë e mirë .
Në rregull, luhet futbolli. Por të paktën duam të besojmë se gjithçka është pas dyerve të mbyllura ?
Jo në të gjitha. Luhet gjithandej me dyer të hapura, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Por kjo situatë nuk ka të bëjë vetëm me futbollin, fëmijët shkojnë në shkollë, njerëzit ecin në rrugë, bëjnë pazar normalisht ... me pak fjalë, gjithçka sipas normalitetit .
A nuk keni frikë nga kjo situatë?
Ka kaq shumë mendime të ndryshme për këtë. Pjesa e lojtarëve dhe stafit të Bjellorusisë është e qetë, në përputhje me pjesën tjetër të vendit. Ne lojtarët që kemi familje nëpër Evropë jemi të shqetësuar. Jo aq shumë për ne duke qenë se jemi të rinj dhe të trajnuar mbase rrezikojmë më pak, por përkundrazi për familjet tona. Ekziston frika se mund të bartni virusin te anëtarët e familjes dhe për këtë arsye, për mendimin tim, nuk është e drejtë të marrësh rreziqe të caktuara.
Po Sindikata po i bën presion federatës?
Jo, e përsëris veten. Në Bjellorusi është sikur asgjë nuk ka ndodhur, kështu që nuk ka diskutime të mëdha për të. Për momentin, nuk ka asnjë ide për të ndërmarrë veprime dhe ky mendim shpjegohet mirë nga deklaratat e Kryeministrit ditët e fundit.
Çfarë mendoni për situatën dramatike në Itali?
Jam i shqetësuar. Familja ime jeton në Itali, afër Treviso. Dhe natyrisht është e mbyllur në shtëpi, ashtu siç duhet të jetë. Jam në kontakte të vazhdueshme telefonike me ta dhe më vjen keq për situatën italiane në përgjithësi. Dhe unë, nga Bjellorusia, jam shumë i shqetësuar për familjen time.