Një lajm befasues ka surprizuar botën e Formula 1 teksa nëpër mediat botërore përflitej për një shkëmbim të bujshëm mes dy pilotëve, Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc. Anglezi do të kalontë në skuderinë e Ferrarit ndërsa monegasku do të bënte rrugën e kundërt drejt Mercedes.
7 herë kampioni i botës, Hamilton, ka shprehur prej vitesh pëlqimin e tij për kokëkuqen por asnjëherë nuk ka pasur lajme të tilla. Mirëpo, për këtë ka reaguar për herë të parë Leclerc ku mohon zërat dhe i shfaq besnikëri Ferrarit.
“Është e rëndësishme ta sqarojmë këtë mirë sepse kohët e fundit ka shumë thashetheme që dalin nga hiçi për ne, ndoshta për të na vënë në telashe. Skuadra është e bashkuar, ato që thuhen jashtë nuk duhet të ndikojnë tek ne, e dua Ferrarin dhe dua të kthehem dhe të fitoj këtu”.-tha piloti për mikrofonat e Sky.