
Federata Shqiptare e Futbollit dhe Fanseat kanë arritur një marrëveshje së bashku për të ofruar ekskluzivisht transmetimin e drejtpërdrejtë e Kategorisë Superiore jashtë Shqipërisë dhe Kosovës për tre sezonet e ardhshme.
Të gjithë tifozët do të mund të shikojnë ndeshjet e 10 skuadrave të elitës. I gjithë edicioni do të mund të shihet live dhe on-demand në "ëëë.fanseat.com". Ky shërbim do të ketë një kosto prej 7.99 eurosh, ku 14 ditët e para do të jenë të lira. Për këtë ka folur fillimisht Jean-Maël Gineste, Drejtori i Përgjithshëm në "Fanseat" u shpreh:
"Jemi të kënaqur të bëjmë partneritet me Federatën Shqiptare të Futbollit për ti ofruar tifozëve të futbollit jashtë Shqipërisë dhe Kosovës dhe komunitetit të rëndësishëm të emigrantëve shqiptarë, mundësinë për të ndjekur klubin e tyre të zemrës pa marrë parasysh se ku janë. Futbolli është një nga shtyllat e kompanisë Fanseat dhe duke shtuar Kategorinë Superiore në portofolin tonë, ne po forcojmë shërbimin tonë për tifozët e sportit".
Më pas, Gazmend Malo, drejtor i Marketingut në FSHF deklaroi:
"Ky projekt dhe kjo marrëveshje është një risi për të cilën ne jemi krenarë. Fanseat është një kompani që përfaqëson një teknologji të re për shqiptarët dhe ofron një mundësi shumë të mirë për të gjithë ata shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut. Nëpërmjet transmetimit "live streaming" në internet të ndeshjeve tona përtej kufijve, ne arrijmë të ofrojmë Kategorinë Superiore në një platformë të re kundrejt një publiku që përdor dhe vlerëson teknologjinë. Fanseat është një kompani me një potencial të madh dhe ne jemi të lumtur të ecim bashkë në këtë rrugëtim të përbashkët i cili besojmë do të rrisë edhe më shumë publikun dhe imazhin e Kategorisë Superiore në një nivel të ri europian".