Kosova ka siguruar vendin e dy xhudisteve në finalet e mëdha në Grand Slamin e Bakut në Azerbajxhan. Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi do jenë pjesë e kategorive të tyrë në këtë Grand Slam, ku paraqiten 446 xhudistë nga 61 shtete të ndryshme.
Xhudistja, Gjakova, ka siguruar finalen e madhe në kategorinë deri në 57 kilogramë. Në raundin e parë, shqiptarja fitoi ndaj polakes Arleta Podolak. Në raundin e tretë fitoi ndaj gjermanes Seija Ballhaus, teksa francezen Priscilla Gneton e mposhti në çerekfinale. Xhudistja nga Peja mposhtu turken Hasret Bozkurt në gjysmëfinale, ndërsa në finalen e madhe do të përballet me xhudisten nga Gjeorgjia, Eteri Liperteliani.
Në krahun tjetër Distria Krasniqi në duelin e parë mposhti brazilianen, Jessica Pereria, teksa me marokenen Soumiya Iraoui triumfoi në çerekfinale. Në gjysmëfinale, Krasniqi mposhti italianen Odette Giuffrida. Në finalen e madhe xhudistja shqiptare do të përballet me japonezen Kisumi Omori.