Në muajin nëntor, Kombëtarja shqiptare e Futsallit do të zbresë e para në fushë në datat 8 dhe 9, në dy përballjet miqësore ndaj Malit të Zi. Kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin, ndërkaq trajneri i ekipit Erind Resuli ka ftuar për këto dy ndeshje 14 lojtarë.
Në krahasim me listën e fundit ka vetëm një ndryshim, teksa këtë radhë nuk është pjesë Mentor Mejzini dhe është ftuar Roald Halimi. Kombëtarja ka nisur tashmë grumbullimin dhe do të kryej stërvitjen e parë mbrëmjen e sotme.
Kjo nuk është hera e parë që këto dy Kombëtare do të përballen në ndeshje miqësore, pasi në muajin qershor të këtij viti, kuqezinjtë e Erind Resulit zhvilluan dy takime ndaj Malit të Zi në transfertë. Të dyja sfidat përfunduan në barazim, e para nuk prodhoi asnjë gol 0-0, ndërsa takimi i dytë 2-2.
Ndeshjet miqësore janë shumë të rëndësishme pasi i japin mundësi trajnerit të Kombëtares së Futsallit, Erind Resuli dhe stafit teknik, të vëzhgojnë nga afër gjendjen e lojtarëve dhe gjithashtu mundësinë për të provuar lojtarë të rinj, që mund të jenë të vlefshëm për Kombëtaren në kompeticionet e ardhshme zyrtare.
Sfida e parë miqësore do të luhet në datën 8 (ora 19:00) dhe ndeshja e dytë në datën 9 (ora 17:00). Të dyja sfidat do të luhen në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në kryeqytet. Ky do të jetë grumbullimi i tretë i Kombëtares së Futsallit për këtë vit.
Më poshtë, edhe lista e 14 lojtarëve të ftuar nga trajneri Erind Resuli për dy miqësoret me Malin e Zi:
- Cristiano Cardoso
 - Valdrin Mjeku
 - Drilon Haxhijaj
 - Ermir Kryeziu
 - Endrit Kaca
 - Halim Selmanaj
 - Roald Halimi
 - Arif Limani
 - Fatlum Pishtani
 - Jetmir Gashi
 - Azdren Gashi
 - Flamur Tahiri
 - Artan Jonuzi
 - Darrier Soares De Melo
 
                                
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       
                			                       