Sot më 6 prill është Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillimin dhe Paqe. Një datë e cila u vendos më 23 gusht të 2013 nga OKB në kujtim të Lojërave të para Olimpike që u luajtën në 1896 në Athinë. Këtë herë kjo ditë do të festohesh ndryshe pasi sporti në të gjithë botën është ndalur për shkak të pandemisë së Covid-19. Në një postim në faqen e tij në Facebook, presidenti I KOKSH, Viron Bezhani ka dhënë një mesazh solidariteti për të gjithë që edhe në kushte karatine duhet të merren me sporte për të treguar që ky virus nuk na mposht dot.
Postimi I Viron Bezhanit:
Sot është 6 prilli, Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe. Për fat të keq, për shkak të coronavirus, sporti në Shqipëri, ashtu sikurse në të gjithë botën, është i heshtur. Natyrisht që këtë ditë të veçantë do të donim të gjithë ta festonim dhe kalonim ndryshe, me shumë aktivitete sportive dhe jo të mbyllur në shtëpi.
Pavarësisht kësaj, ashtu sikurse në sport gjithnjë garojmë për të fituar edhe këtë betejë me këtë virus do ta fitojmë.
Kjo ditë e veçantë përcjell pikërisht mesazhin e rëndësishëm të promovimit të mënyrës së shëndetshme të jetës duke u marrë me sport si dhe inkurajimn e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare. Mesazh ky që na ndihmon për ta fituar edhe këtë betejë.
Edhe në këtë situatë të vështirë ne mund të merremi me sport, pasi ai përcjell shumë vlera, është një mjet që hyn kudo, në çdo grupmoshë. Sporti bashkon njerëz dhe përçon gjithnjë mesazhin e paqes, të “fair play” dhe solidaritetit.
Sporti sot hyn edhe në shtëpitë tona në këto ditë të vështira.
Ndaj edhe në këto kushte izolimi në shtëpi duhet të praktikojmë sport, për të treguar se ai është pjesë e jetës tonë dhe se ky virus nuk na mposht dot. Të gjithë duhet t’i hapim dyert sportit, ta ushtrojmë atë sa më shumë dhe nesër të themi se fituam së bashku edhe një sfidë tjetër të vështirë.
Sporti është jetë, është shëndet, ndaj praktikoheni atë sa më shumë dhe kështu do të fitoni të gjitha sfidat e jetës.
