Qeveria shqiptare nuk ka lejuar aktivitetin sportiv në salla të mbyllura. Kësisoj si volejbolli apo edhe basketbolli janë në “black-out” total që prej muajit mars, periudhë kur shpërtheu Coronavirusi në Shqipëri.
Së fundmi, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit kanë qenë në Kosovë, ku nuk përjashtohet mundësia e zhvendosjes së këtij aktiviteti pikërisht atje. FSHV-ja, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, bën me dije që është diskutuar mundësia për të organizuar dhe zhvilluar veprimtari të përbashkëta.
“Kosovë-Shqipëri, drejtuesit e Federatave përvijojnë veprimtari të përbashkëta
Në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm, një delegacion i Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), ka vizituar të shtunën Kosovën, aty ku, i shoqëruar nga drejtuesit e Federatës së Volejbollit, ka ndjekur derbin e kampionatit vendas të femrave midis Dritës dhe M Technologie.
Ndërkaq, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe ata të Kosovës kanë zhvilluar në mbrëmje në një darkë pune. FVK në këtë takim FSHV-ja u përfaqësua nga Presidenti Erlind Pëllumbi, Zv/Presidenti Dashamir Brari dhe Sekretari i Përgjithshëm, Albens Vokopola, ndërsa FVK-ja u përfaqësua nga Kryetari Abedin Ibrahini, Nënkryetarja Mimoza Shkodra-Bislimi dhe Sekretari i Përgjithshëm, Valon Nikqi.
Në takim u diskutua për problemet dhe vështirësitë që dy federatat po hasin gjatë epidemisë së virusit korona. Temë tjetër e takimit dhe mjaft e rëndësishme, ishte organizimi i veprimtarive të përbashkëta, për çka pati edhe mirëkuptim dhe në ditët në vijim do të bëhen publike edhe turnetë e përbashkëta që do të organizohen”, bëhej me dije në kanalin zyrtar të FSHV-së.