Dinamo do të luajë sezonin që vjen në Kategorinë Superiore. Për këtë arritje, I ftuar në Skaner të Gerti Çarçanit, presidenti italian i Nëndetëses, Marco Pontrelli I dha gjithë meritat vetes duke theksuar se ajo është Dinamo e tij dhe nuk ka njeri tjetër merita që skuadra u rikthye në elitë pas nëntë vitesh.
Menjëherë për këtë deklaratë pati reagime të shumta, ndërsa grupimi ultras "Blue Boys" ka dalë në mbështetje të presidentit, teksa nuk ka munguar edhe një këshillë. "Megjithatë, një këshillë të fundit nga ne që e deshëm Dinamon në ditët e errëta kur të tjerët e harruan: Ki kujdes nga mercenarët dhe njerëzit qe mban afër. E dimë mirë se ata që të shanin, sot janë rreshtuar në krahun tënd apo anasjelltas dhe kjo falë interesit ekonomik!", shkruajnë ultrasit.
Reagimi i plotë:
Grazie Marco Pontrelli! Nëse këto janë fjalët që doje t'i dëgjoje publikisht, ja ku i ke.Ju e dini shumë mirë që të kemi vleresuar dhe mbështetur prej momentit të parë që erdhe në ekip, duke qenë të vetmit që dolëm krahë teje. E dini mirë se ishim në që dolëm kundër presidencës së vjeter dhe ishim një prej faktorëve të rëndësishëm në ndërrimin e kryesisë, duke riskuar gjithsesi për diçka të re me shumë pikpyetje nga mbrapa...
Ashtu siç jemi të vetmit që nuk e kemi lënë vetëm këtë skuadër për 9 vite, nuk të lamë vetëm as ty, atëhere kur kishe nevojë të merrje drejtimin e Dinamos. Falenderimet dhe mirënjohjen ky grupim t'i ka përcjellë çdo javë përgjatë këtyre 18 muajve për atë çka bëre për ekipin ndaj nuk është e udhës të të ngrejmë në piedestal. Megjithatë, një këshillë të fundit nga ne që e deshëm Dinamon në ditët e errëta kur të tjerët e harruan:
Ki kujdes nga mercenarët dhe njerëzit qe mban afër. E dimë mirë se ata që të shanin, sot janë rreshtuar në krahun tënd apo anasjelltas dhe kjo falë interesit ekonomik! Historia nuk gjendet në koshin e plehrave, siç u shprehët ju në tv, dhe ashtu si Roma, nuk u ndërtua për një ditë! Dinamo, e përjetshme.BLUE BOYS12.05.2021
