
Presidenti i klubit të Napolit Aurelio De Laurentis foli për “De Telegraaf” për Scudetton dhe ecurinë e ekipit. Për presidentin napoletan është punuar prej vitesh që të arrihet suksesi në Serie A. Klubi ka kaluar mjaft vështirësi prej vitesh dhe tani ka ardhur koha të shpërblehet mundi.
“Pas Maradonës dhe rënies në falimentim, ne e nxorëm klubin nga depresioni. Ne jemi i vetmi klub italian që luan në Evropë për 14 vjet rradhazi, Juventus ndalet në 13. E kuptoj që është e rëndësishme për napoletanët që Napoli të fitojë Scudetton pas 33 vitesh. Për Napolin dhe banorët e tij do të duket si hakmarrje ndaj Italisë së veriut, hakmarrje për ata që ndihen të pafavorizuar ose të diskriminuar.
Megjithatë unë po luftoj që jugu dhe veriu të formojnë një unitet italian. Nuk është e lehtë, por jam krenar të sjell bukurinë e jugut në mjegullën e veriut. Unë e kam konsideruar gjithmonë Napolin një qytet qëndror, universal në nivel evropian. Shumë të tjerë e panë qytetin në mënyrë provinciale. Unë punoj për të fituar.
Kur mbërritëm në Serie A, Napoli ishte në vendin e 550-të në renditjen e klubeve në botë. Pas dy-tre vitesh ishim në mesin e 20 skuadrave më të mira evropiane dhe sot jemi në çerekfinalen e Champions League. Nuk janë titujt dhe suksesi që kurorëzojnë lavdinë, por puna që bëhet për t’i arritur ato.”