
Juventus përballet nesër në orën 18.55 me Dynamo Kyiev në transfertë, në takimin hapës të Champions League. Trajneri i bardhezinjve, Pirlo ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp. Ai thotë se pavarësisht se Ronaldo do mungojë, ekzistojnë elementët e duhur për t'a zëvëndësuar. Sa i përket çështjes Dybala, numri një i stolit u tregua i matur, duke ia lënë gjithçka kohës.
"Dybala? kam folur dje me të. Ishte pak i nevrikosur sepse nuk luajti, por nuk duhet të harrojmë se vjen pas 3 muajsh pa luajtur, qëndroi 10 ditë në hotelin në Argjentinë duke marrë ilaçe. E solla në Crotone për t'i dhënë disa minuta, por mbetja me 10 lojtarë ma ndaloi.
Tani është në dispozicion dhe do të shohim çfarë do të bëjmë. Nuk ka luajtur sepse nuk ka qenë mirë, por për ne ai është një lojtar thelbësor.
Ronaldo nuk do të jetë, por kemi lojtarë të tjerë që mund të luajnë në atë pozicion. Nuk mendoj se do të ndryshojmë diçka në atë pozicion, pastaj pjesën tjetër do ta vendosim nesër'' - tha Pirlo.