
Qeveria ka miratuar një pension të posaçëm për të gjithë figurat e spikatura në Shqipëri. Mes tyre janë edhe sportistë që kanë ngritur lart flamurin shqiptar.
Në këtë mënyrë edhe Lulëzime Duka do të marrë një pension të tillë. Ikona e brezit të artë e Dinamos dhe kombëtares për femra në volejboll do të shpërblehet për të gjithë mundin e saj për ngjyrat kuqezi.
Mëngjesin e ditës së sotme ishte e ftuar në “Good Morning Albanians”, me Lulëzimen që ka treguar të gjithë sakrificat që ka bërë për volejbollin. Një prej tyre që e tregon gjithë emocion është se ajo hoqi vellon e nusërisë për të luajtur në një nga ndeshjet që skuadra e saj kishte në atë kohë. Ndërkohë për shkak të nagazhimeve në sport, nuk ka mundur të jetë pranë djalit, i cili është rritur nga nëna dhe babai i saj.
“Unë kam lënë dasmën. Jam zhveshur nga nuse, nga shkuar kam luajtur në Shkodër dhe kam ardhur prap dhe kam gjetur dasmorët duke kërcyer. Jam veshur dhe kam vazhduar ceremoninë. Kam bërë sakrifica për sportin. Këtë u them edhe vajzave që të bëni diçka duhet të sakrifikoni.
E kam lënë 3 javësh djalin dhe kam dalë në fushë. Ai nuk më njihte për nënë, e kam lënë djalin 2 vjeç dhe kam shkuar në Siri, kemi dalë kampion mesdheu. Nuk ma ndiente mungesën, se ma ka rritur mamaja dhe babai”, ka treguar Lulëzime Duka.