Kupa e Botës 2026 pritet të bëhet ngjarja më e madhe e basteve sportive në histori, me më shumë se 50 miliardë dollarë të vendosura nga lojtarët në të gjithë botën, sipas një raporti të publikuar nga BBC. Shifra do të përfaqësonte një rritje të ndjeshme krahasuar me 35 miliardë dollarët e regjistruar gjatë Botërorit 2022 në Katar.
Sipas parashikimeve të firmës financiare Macquarie, gjatë turneut do të vendosen mesatarisht rreth 500 milionë dollarë baste për çdo ndeshje. Rritja lidhet me zgjerimin e kompeticionit nga 32 në 48 skuadra, çka ka rritur numrin e ndeshjeve në 104, si dhe me zgjerimin e tregut të basteve sportive në SHBA.
Megjithatë, organizatat që merren me ndërgjegjësimin ndaj lojërave të fatit kanë ngritur alarmin për pasojat sociale. Ato paralajmërojnë se miliona persona mund të përballen me humbje financiare dhe rrezik më të lartë të varësisë nga bixhozi, veçanërisht të rinjtë që mund të tërhiqen nga atmosfera e Botërorit.
“99 nga 100 lojtarë sportivë humbasin para në planin afatgjatë”, deklaroi Les Bernal, drejtues i organizatës amerikane “Stop Predatory Gambling”, duke u bërë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë për të kufizuar format e basteve që krijojnë varësi.
Ndërkohë, ekspertët besojnë se Botërori 2026 do të jetë një test i madh për industrinë globale të basteve, e cila synon të shndërrojë bastet e vendosura gjatë turneut në klientë afatgjatë edhe pas përfundimit të kompeticionit.
