Kombëtarja e Afrikës së Jugut është nisur drejt Kupës së Botës 2026, por pa ndihmëstrajnerin Helman Mkhalele dhe shefin e sigurisë Mdu Mbatha. Federata bëri të ditur se autoritetet amerikane refuzuan vizat e tyre pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar.
Ky zhvillim detyroi ekipin të shtynte udhëtimin me 24 orë, ndërsa përpjekjet për të zgjidhur situatën ende nuk kanë dhënë rezultat. Presidenti i federatës, Danny Jordaan, u shpreh i shqetësuar për mungesën e informacionit nga Konsullata e SHBA-së në Johanesburg.
“Ata refuzuan vizën, por nuk dhanë arsye. Nuk e dimë pse u refuzua, po lëvizim në errësirë, por shpresojmë që çështja të zgjidhet së shpejti”, deklaroi ai.
Afrika e Jugut do të ketë bazën e saj në Pachuca të Meksikës gjatë turneut. Ndeshjen hapëse do ta luajë më 11 qershor ndaj Meksikës në Mexico City, ndërsa më pas do të përballet me Republikën Çeke në Atlanta, SHBA dhe me Korenë e Jugut në Guadalupe të Meksikës.
