Federata Gjermane e Futbollit po shqyrton idenë që ndryshimi i kombëtares nga lojtarët të mos jetë i mundur pa pagesë. Qëllimi është të pengohet largimi i talenteve që rriten në akademitë gjermane, por më pas zgjedhin të përfaqësojnë një vend tjetër.
Drejtori i Federatës, Andreas Reting, ka bërë të ditur se po kërkohet bashkëpunim me FIFA-n për të vendosur një sistem kompensimi në raste të tilla. Sipas tij, është e padrejtë që një Federatë të investojë për zhvillimin e një lojtari, ndërsa më pas të mos përfitojë asgjë kur ai zgjedh një kombëtare tjetër.
“Është plotësisht e pakuptimtë për mua se pse një lojtar i cili është stërvitur për 5 vite nga një klub, e nga federata gjithashtu që është partnere e klubit, të ndryshojë falas ekipin kombëtar. Ne po shqyrtojmë mundësinë që të përfitojmë një kompensim për ndryshimin e përfaqësueseve. Trajnimi duhet të sjellë përfitim për të dy palët, si për të trajnuarin si për atë që e trajnon”, tha Reting.
Vlen të theksohet se ky nuk është një lajm i mirë për Kombëtaren shqiptare të futbollit. Brajan Gruda dhe Nelson Weiper, po “gjurmohen” prej kohësh dhe mesa duket, tratativat duhet të jenë më të shpejta, për të mos paguar ndonjë shumë të caktuar.
