
Serbia ka nisur kështu përgatitjet për duelin me Shqipërinë, sfidë që do të luhet ditën e shtunë në orën 20:45 në “Arenën Kombëtare”. Ekipi i drejtuar nga Dragan Stojkovic vazhdon intensivisht stërvitjen.
Ndërkohë një prej futbollistëve që do të japë kontributin e tij ndaj Kombëtares shqiptare është edhe Aleksandar Katai. Ky i fundit ka folur në konferencën për shtyp, ku ka analizuar këtë përballje.
Futbollisti i Crvena Zvezdës shpreson shumë te një fitore ndaj kuqezinjve, ndërsa nënvizon se asgjë s’do të jetë e lehtë në Tiranë.
“Shqipëria është një kombëtare e ngjashme me Serbinë për sa i përket përbërjes, në kuptimin që ka shumë lojtarë që luajnë jashtë vendit, lojtarë që luajnë në klube të ndryshme evropiane. Ata kanë më shumë lojtarë në Serie A, por ka disa që luajnë në Bundesligë, Premier League… Ata e kanë një lojtar që luajti në finalen e Champions League, Asllani. E gjithë kjo flet për cilësinë e tyre. Ata kanë cilësi, por edhe ne. Na pret një lojë e vështirë, shpresoj se do të dalim fitues.
Shpresoj se do të jemi midis pjesëmarrësve në mënyrë që të gjithë të mund të shohim gjithçka drejtpërdrejt në Amerikë, një vend fenomenal. Kemi shumë punë për të bërë në grup së pari, Anglia është favorite, por ato janë ndeshjet më të bukura, kur ke një kundërshtar të mirë dhe kur duhet të japësh 110 për qind për të dalë fitues”, ka mbyllur serbi.