
Federata Serbe e Futbollit ka reaguar ditën e sotme për ndeshjen kundër Shqipërisë. Duel ky që u mbyll në barazim 0-0 dhe që u zhvillua në “Air Albania”, takim i vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Në deklaratën e tyre zyrtare, shkruajnë se ekipi serb është pritur shumë mirë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Armand Duka. Por pavarësisht kësaj sjelljet dhe koret raciste që vinin nga tribunat e stadiumit kanë prishur aspektin sportiv të ndeshjes sipas serbëve.
“UÇK, UÇK, UÇK”, thirrje këto që FSS i konsideron të turpshme, duke shprehur kështu keqardhje për gjithçka ndodhi në “Air Albania” mbrëmjen e së shtunës.
“Në natën kur Serbia mbeti e pamposhtur dhe fitoi një pikë të vlefshme në fillim të kualifikueseve për Kupën e Botës, futbolli në Tiranë përjetoi humbjen e tij më të madhe në tribunat e Stadiumit Kombëtar.
Përpara të vërtetës së shëmtuar, me të cilën u përballën lojtarët tanë në fushë, duam të theksojmë faktin se e gjithë ekspedita e Federatës së Futbollit të Serbisë, që nga momenti i parë e deri në minutën e fundit të qëndrimit të tyre në kryeqytetin shqiptar, gjeti një mikpritje të jashtëzakonshme nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidenti Armand Duka. Që nga pritja në aeroport e deri te largimi nga Tirana, ndjemë respekt dhe vëmendje.
Për fat të keq, skenat nga tribunat që bota e futbollit nuk do të donte kurrë t’i shihte, skenat me të cilat UEFA përballet prej vitesh përmes rregulloreve të saj, hodhën një njollë të madhe mbi ngjarjet e drejta dhe korrekte në fushë. Federata e Futbollit e Serbisë dënon ashpër shpërthimet politike të urrejtjes përmes formave të ndryshme të provokimeve dhe thirrjeve të turpshme në mbështetje të organizatave terroriste dhe nxitjes së krimeve të reja.
Kur fjalët nuk mjaftuan, pasuan edhe kërcënimet fizike ndaj futbollistëve tanë. Nga tribunat fluturonin monedha, gota të plota dhe shishe. Në disa raste, gjyqtari italian e ndërpreu ndeshjen, u dëgjua edhe spikeri zyrtar, por gjithçka pa rezultate. Këto skena të turpshme, që nisën me fishkëllima ndaj himnit kombëtar dhe vazhduan me thirrje skandaloze e gjuajtje drejt lojtarëve serbë, jo vetëm që e cenojnë frymën sportive dhe atmosferën e lojës së ndershme, por e vënë drejtpërdrejt në rrezik parimin e respektit dhe tolerancës ndërkombëtare që futbolli duhet të promovojë.
Duke shprehur mirënjohjen tonë për mikpritjen dhe pritjen e ngrohtë nga Federata Shqiptare e Futbollit gjatë qëndrimit tonë në Tiranë, dënojmë gjithçka që është dëgjuar dhe parë nga tribunat e Stadiumit Kombëtar”, shkruhet në postim.
View this post on Instagram