Një nga historitë më të bujshme në prag të Kupës së Botës 2026 ka të bëjë me arbitrin somalez Omar Artan, i cili nuk u lejua të hynte në Shtetet e Bashkuara dhe humbi mundësinë për të marrë pjesë në turne. Artan do të bëhej arbitri i parë nga Somalia që do të përfaqësonte vendin e tij në një Botëror.
Sipas raportimeve, ai u mbajt për rreth nëntë orë në pyetje nga autoritetet amerikane, përpara se të dërgohej mbrapsht drejt Stambollit. Vetë arbitri deklaroi se u penalizua për shkak të politikave amerikane ndaj Somalisë, duke e cilësuar ngjarjen si një zhgënjim të madh personal dhe profesional.
Pas kthimit në Mogadishu, Artan u prit nga qindra mbështetës, zyrtarë të Federatës Somaleze të Futbollit dhe përfaqësues të qeverisë. “Ju premtoj, me vullnetin e Zotit, se do të marr pjesë në edicionin e ardhshëm”, tha ai, duke bërë thirrje për qetësi dhe duke theksuar krenarinë për flamurin dhe pasaportën somaleze.
