
Igor Tudor do të jetë trajneri i ri i Juventusit, duke marrë vendin e të shkarkuarit, Thiago Motta. Pikërisht për trajnerin kroat, ka folur ish-mesfushori, Valon Behrami. Ky i fundit ka punuar me Tudor, teksa shprehet se ai është një trajner që e kupton menjëherë thelbin e ekipit. Ndër të tjera, Behrami tregon edhe një histori me Tudor në kohën kur e kishte trajner te Udinese.
“Tudor shikon menjëherë thelbin, thotë gjërat siç janë. Nuk i pëlqejnë fjalët e tepërta dhe kjo u pëlqen lojtarëve, sepse ata gjithmonë e dinë çfarë të presin nga ai. Me të në stërvitje, kalon përtej mundësive të tua. Madje, ai dëshiron që të bëhet pak debat, që të ketë pak konkurrencë të shëndetshme. Unë isha në fund të karrierës sime te Udinese dhe ai më tha hapur që nuk mund të garantonte vendin tim si titullar.
Por nuk e bëri për të më demotivuar, përkundrazi, ai gjithmonë kërkonte të më përfshinte, duke më pyetur se si do t’i interpretoja unë ndeshjet. Lojtarët kanë nevojë të ndihen të lirë, të shprehen. Tudor do t’ua japë atyre këtë siguri dhe, kur ndodh kjo, një grup ndryshon fytyrë në pak kohë”, u shpreh Valon Behrami.