Sfida mes Pisas dhe Juvenusit, u mbyll me rezultatin 0-2, në favor të ekipit të Luciano Spallettit. Sigurisht fitoret duhen festuar, por edhe vëmendja e madhe ishte tek sulmuesi shqiptar, Edon Zhegrova. Ai hyri në pjesën e dytë të ndeshjes dhe padyshim që bëri një paraqitje mjaft mirë.
Ndërsa për lojën e bërë, Zhegrova është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e grupit. Ndër të tjera ai u shpreh se trajneri Spalleti po e ndihmon shumë që të rritet profesionalisht.
"Gjëja më e rëndësishme është që i gjithë grupi ka qenë i bashkuar. Dua t’i vë në dispozicion të ekipit cilësitë e mia. Pashë një Juventus kompakt gjatë gjithë ndeshjes. Spalletti? Po përpiqet të më përmirësojë edhe në fazën mbrojtëse, edhe pse kjo më është kërkuar edhe te klubet e mia të mëparshme dhe e di që në futbollin modern duhet të luash në të dyja fazat. Kam qenë jashtë për një kohë të gjatë, nuk kam luajtur shumë, por tani po jap kontributin tim", tha Zhegrova.
Tekniku i skuadrës, Spalletti e cilësoi Zhegrovën pas ndeshjes si një “gjeni”, më herët i kishte vendosur edhe nofkën “Zeppetta”, që mund të përkthehet përafërsisht si një objekt i vogël, por thelbësor.
“‘Zepeta’, siç të quan Spalletti? Është diçka me të cilën kam lindur. E falenderoj trajnerin që më dha këtë nofkë”, është shprehur sulmuesi.
