E ardhmja e Kristjan Asllanit po kthehet në një telenovelë. Ditë më parë u bë e ditur se Torino nuk do t’i blinte kartonin në fund të sezonit dhe në këto kushte do të ndërprisnin mes tyre huazmin.
Të gjendur në këtë situatë, te Interi që është edhe skuadra që ka në zotërim kartonin e futbollistit, nisën punën për t’i gjetur një tjetër ekip mesfushorit. Fillimisht doli në skenë Fiorentina, më pas Parma, Sassuolo, Girona dhe Paris FC janë përfolur se kanë interes për shërbimet e liderit të Kombëtares shqiptare.
Por deklarata e trajnerit aktual të Torinos, Marco Baronit ka “shtangur” të gjithë. Kjo pasi timonieri i “Demave” ka folur në konferencën për shtyp para sfidës me Atalantën, teksa ka theksuar se Asllani është dhe do të mbetet futbollist i Torinos. Ndërkohë shprehet gjithashtu se shqiptari ka treguar sjellje shembullore dhe mos aktivizimi në ndeshjet e fundit ka të bëjë me karakteristikat e lojës.
“Ka treguar gjithmonë sjellje shembullore. Është dhe do të mbetet një lojtar i Torinos. Është e qartë që, së bashku, ne jemi duke u munduar të punojmë dhe improvizohemi. Këto ndeshje në të cilat nuk ka luajtur, kanë qenë për shkak të karakteristikave. Shikoj më dinamizëm te Ilkhan, që ishte më i gatshëm të tregonte veten dhe i dhashë mundësinë.
Asllani është në konsideratë, siç ka qenë derii tani. Merkato? E përsëris që është e gjatë, duhet të jemi të gjithë të gatshëm të punojmë me këtë situatë, unë dhe lojtarët. Nuk lejoj që të mendohet për asgjë tjetër përveç performancës”, ka përfunduar timonieri i Torinos. Një deklaratë e cila ka bërë “lëmsh” të gjithë dhe e bën ende më të paqartë të ardhmen e shqiptarit.
