
Jurgen Klopp luajti ndeshjen e fundit në krye të Liverpool, teksa në “Anfield” triumfoi 2-0 ndaj Wolves. Një sfidë e cila ishte shumë emocionuese për trajnerin gjerman, ku gjithë stadiumi kishte përgatiru diçka speciale për të.
Klopp i jep kështu lamtumirën “The Reds” pas 9 vitesh. Pas ndeshjesh ishte mjaft i emocionuar, ndërsa foli me tifozët, ku nuk mundi të mbante lotët.
“Jam i befasuar. Mendova se do të isha bërë copë-copë deri tani, por jo. Jam shumë i lumtur për të gjithë ju, për atmosferën, lojën, të qenët pjesë e kësaj familjeje, atë që festuam në këtë ditë. Faleminderit shumë. Faleminderit që e shpërfillët kërkesën time dhe nuk e kënduat këngën time për gjashtë javë.
Nuk duket si fundi, por fillimi. Sot pashë një ekip që luante futboll plot talent, rini, kreativitet, dëshirë. Është pjesë e zhvillimit, është ajo që na nevojitet. Në këto pak javë që mora shumë vëmendje, kuptova shumë gjëra. Njerëzit thonë se i kam kthyer nga skeptikë në besimtarë. Nuk është e vërtetë, e bëtë ju.
Ne kemi këtë stadium të mrekullueshëm, qendër stërvitore dhe ju, që jeni superfuqi e futbollit botëror. Sot jam një nga ju dhe vazhdoj të besoj. Vazhdoj të besoj 100 për qind. Pa dyshim që kam parë njerëz që qajnë dhe do të qaj edhe sonte, sepse do të më mungoni, por ndryshimi është për mirë. Gjithçka do të jetë mirë”.
Slot? Mirëprisni trajnerin e ri sikurse më mirëpritët mua. Tani unë jam një nga ju. Faleminderit, ju jeni ekipi më i mirë në botë!”, përfundoi i emocionuar Klopp.