Real Madridi pritet të mbajë zgjedhjet presidenciale më 7 qershor, aty ku garojnë për një mandat 4-vjeçar Florentino Perez dhe Enrique Riquelme.
Ky i fundit, ka qenë tepër aktiv me deklarata të shpeshta dhe ndonjëherë polemizuese, duke ngjallur reagime të forta në rrjet për sigurinë e shfaqur gjatë fushatës elektorale.
Mirëpo, duket se këto qëndrime të tij janë parë si të tepruara nga vetë klubi madrilen, që ka ardhur me një komunikim zyrtar për të “frenuar” në njëfarë mënyre “hovin” e Riquelmes.
NJOFTIMI:
“Për t’iu përgjigjur deklaratave të kandidatit Enrique Riquelme, në të cilat ai pretendon se vetëm njëra nga kandidaturat ka akses në listën e anëtarëve të klubit (censusin zgjedhor), si dhe ndaj dyshimeve dhe mosbesimit të shprehur prej tij lidhur me ruajtjen dhe sigurinë e votimit me postë, Komisioni Zgjedhor deklaron sa vijon:
- Komisioni Zgjedhor nuk i ka vënë në dispozicion listën zgjedhore (censusin zgjedhor) asnjërës prej kandidaturave që garojnë në zgjedhjet e planifikuara për datën 7 qershor.
- Komisioni Zgjedhor u ka komunikuar me shkrim të dy kandidaturave procedurën për dërgimin e informacionit, dokumentacionit dhe materialeve për anëtarët. Përveç kësaj, kandidati Enrique Riquelme është informuar personalisht për këtë procedurë në ditën kur paraqiti kandidaturën e tij.
- Kjo procedurë është e përcaktuar në rregulloren që rregullon procesin zgjedhor (pika 2 e seksionit mbi censusin zgjedhor), e publikuar për këtë qëllim. Sipas saj, kandidaturat duhet t’ia dorëzojnë Komisionit Zgjedhor informacionin, dokumentacionin dhe materialet që dëshirojnë t’u dërgojnë anëtarëve, ndërsa klubi merr përsipër shpërndarjen e tyre.
- Komisioni Zgjedhor caktoi ditën e hënë, më 1 qershor, në orën 18:00, si afatin përfundimtar për dorëzimin e informacionit, dokumentacionit dhe materialeve që secila kandidaturë dëshiron t’u dërgojë anëtarëve.
- Komisioni Zgjedhor shpreh shqetësim të madh për deklaratat e Enrique Riquelmes, të cilat hedhin dyshime mbi ruajtjen dhe sigurinë e votës me postë. Në përgjigje të një pyetjeje të bërë nga kjo kandidaturë, Komisioni kishte sqaruar me shkrim:
“Për të rritur transparencën dhe besimin në integritetin e procedurës së ruajtjes së votave me postë, kandidaturat që e kërkojnë këtë mund të caktojnë një përfaqësues të akredituar, i cili mund të qëndrojë vazhdimisht pranë hyrjes së ambientit të caktuar për ruajtjen e votave.
Prania e këtyre përfaqësuesve do të zhvillohet në një hapësirë që mbulohet nga sistemet e sigurisë dhe mbikëqyrjes së klubit dhe do t’i nënshtrohet rregullave në fuqi për videomonitorimin dhe përpunimin e imazheve, në përputhje me legjislacionin aktual.”
Për rrjedhojë, çdo informacion, dokumentacion apo material që u ka mbërritur anëtarëve nga ndonjë kandidaturë përmes klubit është shpërndarë në përputhje të plotë me procedurën dhe rregulloren në fuqi.
- Komisioni Zgjedhor po zbaton me rigorozitet dhe saktësi të gjitha rregullat e parashikuara për procesin aktual zgjedhor dhe, për këtë arsye, kërkon respektimin e tyre.
