Barcelona po kalon një nga momentet më të vështira në vitet e fundit përsa i përket anës financiare. Shpeshherë Joan Laporta është shprehur se janë në gjendje të vështirë.
Kjo është parë edhe në vonesat e klubit katalanas përsa i përket regjistrimit të lojtarëve. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar presidentin e Barcelonës që të bëjë goditje në merkato, teksa “bombën” po mendon ta “shpërthejë” verën e ardhshme.
Laporta është shprehur se gjatë verës së ardhshme do të nënshkruajnë me një yll dhe të gjithë raportojnë se ai mund të jetë Neymar JR. Ky i fundit ka rreth 1 vit i dëmtuar dhe nuk ka luajtur shumë me Al Hilal.
32 vjeçarit brazilian i përfundon kontrata me arabët pikërisht verën e ardhshme dhe pasi të ketë grumbulluar 400 milionë euro në llogari, nuk do ta refuzonte një rikthim në Europë.
Është pikërisht Barcelona ekipi që po ëndërron që të rikthejë një nga futbollistët më të mirë që ka pasur në “gjirin” e saj. Kujtojmë që së bashku me Messin dhe Suarez, braziliani krijoi një 3-she të pathyeshme.