
Sjellja e Antonio Rudiger në minutat e fundit të ndeshjes së “Copa del Rey” të së shtunës mbrëma mund të çojë në një sanksion shembullor. Mbrojtësi qendror përballet me një ndalim prej katër deri në 12 ndeshje për shkak të gjuajtjes së sendeve drejt arbitrit.
Një çmenduri që padyshim pati një ndikim të madh në Gjermani, duke bërë bujë. Legjenda e Bayern dhe e Gjermanis, Lothar Matthaus nuk e fshehu indinjatën e tij:
“Ai dukej se ishte çmendur, ai nuk e kishte më kontrollin . Ai është një ndërkombëtar gjerman, ai duhet të jetë një model, por e ka harruar plotësisht këtë. Nëse shpëton me një ndalim katër-javor, ai mund të jetë i kënaqur. Unë jam duke menduar më shumë për një ndalim dyshifror. Pres një ndalim masiv".
Episodi - Rudiger, nga pankina, hodhi një pako me akull drejt arbitrit në shenjë proteste ndaj një vendimi që do ta penalizonte Realin në sekondat e fundit të kohës shtesë. Pas kartonit të kuq, qendërmbrojtësi më pas iu drejtua arbitrit me ton abuziv, duke shqiptuar fyerje në gjermanisht.
Situata u tensionua aq shumë saqë u desh të ndërhynin disa shokë për të mos përkeqësuar situatën. Vetë lojtari pak orë pas ndeshjes ka publikuar një deklaratë në rrjetet sociale ku i ka kërkuar falje arbitrit dhe tifozëve.