
Më 31 maj do të dalin në “skenë” Interi dhe Paris Saint-Germain për finalen e madhe të Champions League. Përpara kësaj supersfide që do të zhvillohet në “Allianz Arena” ka folur për mediat trajneri i zikaltërve, Simone Inzaghi.
“Ishte një udhëtim i gjatë për të arritur në finale, e bëmë hap pas hapi. Të gjithë kanë një kujtim të paharrueshëm të ndeshjes së fundit kundër Barcelonës, por nëse mendoj edhe për Bayernin, ishte shumë e vështirë t’i mposhtnim sepse janë një ekip i shkëlqyer, i organizuar dhe fizik.
Më të vjetër se PSG? Nuk mendoj se të qenit një ekip pak më i vjetër është problem. Në fakt, të ndihmon shumë në momente të caktuara të shumë ndeshjeve të rëndësishme.
Triumfi në finale do të ishte kulmi i një pune të shkëlqyer që filloi katër vjet më parë. Do të jetë një finale shumë e rëndësishme, duam t’u japim këtë gëzim të madh tifozëve tanë dhe do të përpiqemi me të gjitha forcat”, u shpreh Inzaghi.